Autori gjerman dr. Manfred Raupp promovon librin dedikuar rektorit Dema
Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u bë promovimi i librit “Çelësi i suksesit në karrierë dhe zhvillim të personalitetit është aftësia gjuhësore” nga autori gjerman dr. Manfred Raupp.

Këtë libër Raupp ia dedikoi rektorit të UP-së, prof. dr. Marjan Dema, për kontributin e tij të dhënë për Universitetin e Prishtinës.

Hapjen e këtij aktiviteti e bëri z. Dardan Velija, i cili u shpreh i privilegjuar që ka pasur rastin të japë kontributin e tij në këtë libër. Ai e falënderoi rektorin Dema për mbështetjen konstante në ndërtimin e urave të bashkëpunimit për të rinjtë shqiptarë dhe gjermanë.

Në anën tjetër, rektori Dema u shpreh i lumtur për këtë nderim që dr. Raupp me bashkëpunëtorë i kanë bërë punës së tij, teksa theksoi që ky libër është dhurata më e mirë që ai ka pranuar ndonjëherë.

I pranishëm, virtualisht, në këtë takim ishte edhe dr. Raupp, i cili e vlerësoi lart punën e rektorit Dema. “Rektor Dema është ai që i hapi dyert e Universitetit të Prishtinës për të rinjtë nga mbarë bota, andaj këtë libër ia dedikoj pikërisht atij,” tha Raupp, ndër të tjerash.

Promovimin e këtij libri e përshëndetën edhe dekanja e Fakultetit të Filologjisë në UP, prof. dr. Lindita Rugova, si dhe dr. Peter Hartman, kontribues që ky libër të publikohet edhe në versionin e gjuhës angleze.

Ky libër, i shkruar në bashkëpunim me dr. Peter Hartman dhe z. Dardan Velija, në versionet anglisht dhe shqip, ofron mbështetje dhe ndihmë për nxënësit, studentët, punonjësit dhe punëdhënësit në studimin individual të gjuhëve gjermane e shqipe.