Administrata Qendrore

Administrata Qendrore e Universitetit të Prishtinës është themeluar me vendimin e Bordit të Universitetit të Prishtinës në vitin 2001.

Sipas statutit të universitetit, Administrata Qendrore është përgjegjëse për çështjet profesionale, administrative dhe teknike në lidhje me:

1. Arsimin, kërkimet shkencore dhe punën artistike;

2. Administrimin e njohjes së studimeve;

3. Administrimin e personelit;

4. Aspektet ligjore;

5. Planin zhvillimor të universitetit;

6. Kontabilitetin dhe financat;

7. Mirëmbajtjen dhe dokumentimin e pronës;

8. Dosjet;

9. Qarkullimin e mallrave;

10. Menaxhimin e sistemit të informimit;

11. Bazën qendrore të të dhënave;

12. Aspektet e tjera të përgjithshme të administratës së universitetit.

 

Të gjitha këto koordinohen nga sekretari i përgjithshëm.

Me sugjerimin e sekretarit të përgjithshëm, rektori nxjerr rregullore rreth sistematizimit të vendeve të punës brenda Administratës Qendrore të universitetit. Përshkrimi më i detajuar i punëve për shërbimet e Administratës Qendrore është i paraparë në Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Administratës Qendrore të Universitetit.

Në kuadër të Administratës Qendrore funksionojnë këto shërbime:

1. Shërbimi Juridik dhe i Burimeve Njerëzore;

2. Shërbimi për Çështje Akademike;

3. Zyra për Zhvillim Akademik;

4. Shërbimi për Financa dhe Kontabilitet;

5. Departamenti i Prokurimit;

6. Njësia e Auditimit të Brendshëm;

7. Shërbimi për Studentë;

8. Shërbimi për Teknologji të Informacionit;

9. Zyra për Marrëdhënie me Jashtë;

10. Qendra e Gjuhëve;

11. Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie;

12. Qendra për të Drejtat e Njeriut;

13. Qendra për Barazi Gjinore;

14. Shtëpia Botuese e Universitetit.

Administrata qendrore duhet të krijojë mundësi që universiteti të jetë në gjendje t'i realizojë detyrat e marra përsipër në fushën e mësimit dhe në fushën kërkimore shkencore. Punonjësit e Administratës Qendrore duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të punojnë, duke pasur parasysh edhe efektin ekonomik dhe duhet të jenë të kujdesshëm në kursimin e mjeteve që kanë në dispozicion. Të gjithë punonjësit duhet të kujdesen që Administrata Qendrore të transformohet në një administratë moderne.

Përgjegjësia, komunikimi dhe transparenca duhet të jenë moto e përparimit të Administratës Qendrore.

Administrata Qendrore përpilon plane afatgjata, menaxhon buxhetin vjetor, kontrollon aktivitetet në fakultete dhe shkolla të larta si dhe organizon menaxhimin ditor.

Për të gjitha vendet e punës, përshkrimi i punëve dhe i detyrave të punës më hollësisht është paraparë me Rregulloren për Organizimin dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës, që është miratuar nga Bordi i Universitetit më 26.12.2003.