Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar sot marrëveshje të bashkëpunimit me Kolegjin e Arkitekturës (BAC), me seli në Boston, Massachusetts.
Marrëveshja e nënshkruar përcakton kushtet e bashkëpunimit me qëllim inkurajimin dhe fuqizimin e partneritetit akademik, zgjerimin dhe përforcimin e programeve studimore për përfitim të ndërsjellë, si dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet palëve, veçanërisht në fushën e dizajnit.
Lidhja e bashkëpunimit me BAC-in u përshëndet nga rektori, prof. dr. Naser Sahiti. Ai e vlerësoi këtë bashkëpunim si shumë të dobishëm për studentët dhe stafin e UP-së.
Nënshkrimin e memorandumit e përshëndetën edhe përfaqësuesit nga BAC-i. Ata bënë prezantimin e programeve studimore të tyre dhe diskutuan së bashku më përfaqësuesit e UP-së për ide të shumta konkrete me të cilat mund të nis bashkëpunimi.
Partneriteti ndërmjet UP-së dhe BAC-it, ndër të tjerash, parasheh mobilitetin e studentëve dhe të stafit akademik dhe administrativ, shkëmbimin e publikimeve dhe informatave, organizimin e seminareve të përbashkët, punëtorive, ekspozitave apo konferencave, e të tjera forma të bashkëpunimit, me qellim të arritjes së objektivave të përbashkët.