Rektori Sahiti i shpreh ngushëllime familjes Dermaku

E nderuara familje Dermaku,

Me pikëllim të thellë, e pranuam lajmin e ndarjes nga jeta të prof. asoc. dr. Arben Dermakut.

Dermaku ishte studiues i ekonomisë dhe profesor universitar, i cili rrugëtimin në UP e filloi si student në vitin 1995, në Fakultetin Ekonomik. Ndërkaq, si asistent, iu bashkua fakultetit pas përfundimit të studimeve të magjistraturës në po këtë njësi akademike, në vitin 2002, për t’u avancuar më pas si kuadër i rregullt i këtij fakulteti.

Profesor Dermaku, përveç angazhimeve si mësimdhënës, dha kontribut të madh edhe sa ishte ligjërues dhe pjesë e ekipit menaxherial në qendrën në Gjilan të Universitetit të Prishtinës, pastaj edhe në themelimin e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, ku ushtroi edhe pozitën e rektorit të këtij universiteti.

Dermaku do të kujtohet nga studentët dhe kolegët si një profesor i përkushtuar dhe një personalitet me vlera të larta, i cili la pas një shembull për t’u ndjekur.

Andaj, më lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, t’iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve të tij për humbjen e hershme të më të dashurit tuaj.

I paharruar qoftë kujtimi për profesor Dermakun!

Me respekt,
Prof. dr. Naser Sahiti – rektor