Përurohet laboratori “Montesori” në Universitetin e Prishtinës
Për herë të parë në Kosovë studentët dhe profesorët e Fakultetit të Edukimit do të kenë një mundësi për të përvetësuar metodologjinë “montesori” për mësimin e fëmijëve, falë përurimit të laboratorit, të bërë sot në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina".

Për arritjen e këtij suksesi, rektori i UP-së prof. dr. Marjan Dema uroi Fakultetin e Edukimit si dhe Shoqatën Gjermane “Montesori”.

“Synimi jonë si menaxhment ka qenë transformimi i UP-së nga një universitet teorik në një universitet edhe më praktik, nga i cili studentët do të dalin me dijen teorike dhe atë praktike, në mënyrë që të ushtrojnë profesionin për të cilin kanë studiuar. E hapja e këtij laboratori, për të cilin edhe jemi mbledhur, është një hap tjetër drejt arritjes së këtij synimi”, potencoi rektori Dema.

I lumtur për përurimin e laboratorit u shpreh edhe nikoqiri i këtij eventi, prof. as. dr. Ethem Çeku.

“Përmes këtij laboratori do të bartet misioni i shenjtë i një kombi edukimi, duke mësuar njërën nga metodat më të mira të edukimit. Uroj studentët dhe profesorët për këtë laborator dhe falënderoj të gjithë ata që bën të mundur realizimin e tij”, tha dekani.

Ndërsa, përfaqësuesi i Shoqatës Gjermane “Montesori” z. Rainer Voelkel, tha se kjo është metoda më e mirë për t’i mësuar fëmijët.

“Kosova po radhitet në vendin e mesin e 150 shteteve që përdorin këtë metodë, andaj ky fakt i gëzon vendet tjera që një partner i ri po u bashkangjitet”, deklaroi Voelkel.

Ndër të tjera, Fakulteti i Edukimit ndau mirënjohje për z. Rainer Voelkel, për Shoqatën Gjermane “Motesori”, për themelimin e këtij laboratori.