Me mbledhje komemorative kujtohet jeta dhe vepra e profesor Fatmir Jakës
Jeta dhe vepra e prof. dr. Fatmir Jakës u përkujtua sot me anë të një mbledhje komemorative të mbajtur sot në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Me këtë rast, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, në fjalën e tij duke kujtuar vlerat e profesor Jakës, u shprehu ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe studentëve të profesorit të ndjerë.

“Me ndarjen nga jeta të profesor Jakës, Universiteti ynë nuk humbi vetëm një profesor, por edhe një studiues të pashembullt të bujqësisë. E të gjitha veprat e tij e bëjnë që studentët që duan të ndjekin hapat e profesorit, t’i kenë si busulla orientuese në karrierën e tyre.”, potencoi rektori Dema.

Kontributin e profesorit në fakultetin ku ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës, e përkujtoi dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, prof. dr. Skender Kaçiu.

“Vetëm një vit pas themelimit të këtij fakulteti, profesor Jaka filloi të punonte këtu. Ai së bashku me brezin e profesorëve që themeluan fakultetin patën barrën e madhe për të vendosur bazat e një institucioni shumë të rëndësishëm për vendin, punë të cilën e kryen me përkushtim dhe përgjegjësi të plotë”, tha dekani.

Për të rrëfyer përvojën me profesorin Jaka, të pranishmëve iu drejtua prof. asoc. dr. Mentor Thaqi.

Për këtë përkujtim që Universiteti i Prishtinës i bëri profesor Jakës, familjarët u shprehën falënderues. Në emër të familjes fjalën e mori vajza e tij, Nora Jaka, e cila tha se është krenare me punën e babait të saj.

Prof. dr. Fatmir Jaka u bë pjesë e Fakultetit të Bujqësisë më 1975 dhe këtë detyrë e kreu deri në pensionimin e tij.