Seminari i gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, nis rrugëtimin e 38-të të tij
Albanologë dhe dashamirë të gjuhës shqipe u bënë bashkë në hapjen solemne të edicionit të 38-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, e cila u mbajt në Bibliotekën Universitare të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

Nikoqirja e tij, dekanja e Fakultetit të Filologjis1%, prof. asoc. dr. Lindita Rugova, tha se ky Seminar është produkti më cilësor i këtij Fakulteti.
“Institucioni i Seminarit është më i forti i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë. Është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore  vështruar nga një kënd global. Seminari shpërfaq miqësitë e reja dhe të vjetra mes studiuesish, rrjetet e reja shkencore dhe kulturore që na bëjnë më të pranishëm në arenën kombëtare”, u shpreh dekanja.

Ndërsa, drejtori i këtij Seminari prof. asoc. dr. Shkumbin Munishi, tha se ky edicion është hallkë tjetër e një zinxhiri të albanologjisë të nisur këtu e 45 vjet më parë.
“Edhe sivjet Seminari ka arritur të mbledhë dashamirë të shumtë të gjuhës, letërsisë, kulturës e historisë shqiptare nga shumë vende të botës, duke vazhduar kështu të jetë ngjarja më e rëndësishme kulturore dhe shkencore në hapësirat shqiptare”, tha drejtori.

Në organizimin e këtij Seminari tash e sa vite marrin pjesë edhe studiues nga Shqipëria, gjë për të cilën rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Mynyr Koni, tha se ndjehet krenar.
“Ndjehem shumë i kënaqur që Universiteti i Tiranës, nëpërmjet Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, bashkëpunon në realizimin e këtij Seminari duke kontribuar në aktivitete të ndryshme si dhe duke u mundësuar profesorëve të këtij fakulteti të jenë më prezent në kulturën shqipe mbarëkombëtare”, u shpreh Koni.

Edicioni i sivjetmë përmban një program të përbërë nga referime shkencore, sesione të doktorantëve, ligjërata dhe tryeza nga studiues të njohur. Krahas ligjëratave mbi problemet e gjuhësisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare, 100 seminaristët të ardhur nga vende të ndryshme të botës, si: Rusia, Çekia, Serbia, Gjermania, Letonia, Suedia e vende të tjera, do të vijojnë kurse të gjuhës shqipe. 

Punimet e zhvilluara në këtë seminar do të botohen në revistën e seminarit, revistë e cila ka arritur të indeksohet në platforma të njohura revistash shkencore ndërkombëtare.