Studentët e UP-së me medalje në Kampionatin Evropian të Universiteteve në Sporte Luftarake
Benjamin Shabani, Dren Hajdari dhe Valdrin Rashiti, studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i sollën Kosovës medalje të bronzta nga Kampionati Evropian i Universiteteve në Sporte Luftarake (EUSA Combat), i cili u mbajt në Zagreb të Kroacisë.

Karatistët tanë fituan vendin e 3-të në garën ekipore, ku luftuan në disiplinën “KUMITE”. Të suksesshëm u treguan edhe në gara individuale, ku në konkurrencën me peshë 75 kg, studenti Benjamin Shabani mori medaljen e bronztë.

Në këto gara studentët tanë lanë pas vetes ekipe studentësh nga universitete të shumta evropiane, përfshirë këtu ekipet nga: Spanja, Serbia, Franca, e të tjera vende pjesëmarrëse.
Me përfaqësimin dinjitoz të studentëve, të cilët luftuan për tri ditë sa edhe zgjati kampionati, u shpreh i lumtur dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, Prof. Asoc. Dr. Musa Selimi.
“Ishte krenari t’i shohësh studentët tanë të garojnë përkrah studentëve të universiteteve evropiane. Jam i lumtur që arritën të përfaqësoheshin denjësisht dhe të merrnin medalje nga ky kampionat”, u shpreh dekani Selimi.

Shteti ynë në këtë kampionat u përfaqësua në dy sporte: karate dhe taekwando.