Me mbjelljen e drurëve, absolventët e gazetarisë shënojnë simbolikisht diplomimin e tyre
Me moton “Unë jam ambientalist”, absolventët e Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, mbollën drurë të rinj në kampusin universitar.

Me mbjelljen e këtyre drurëve, gazetarët e rinj shënuan përfundimin e tre vjetëve të studimit në këtë universitet.

I pari i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, tha se kjo iniciativë e studentëve tregon se Universiteti i Prishtinës është në proces të ndryshimeve pozitive.
“Mënyra më e mirë për të shënuar diplomimin është kjo që studentët e gazetarisë kanë vendosur të bëjnë. Emrat e tyre të vendosur në drurë do t’u mbijetojnë viteve dhe do të shërbejnë si model për gjeneratat tjera, që të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Dema.

E shefi i departamentit ku studiuan këta studentë, prof. asoc. dr. Milazim Krasniqi, thotë se kjo ide është vazhdimësi e ideve kreative të studentëve të këtij departamenti.
Kjo iniciativë do të duhej të shndërrohej në një traditë, që do të vazhdonte nga gjithë të diplomuarit dhe meqë këtu diplomojnë shumë studentë, kampusi do të shndërrohej jo në një park, por në një pyll”, deklaroi profesori Krasniqi.

Njëra nga organizatoret e këtij aktiviteti, Zoje Sadiku, tha se përmes këtij aktiviteti synojnë që t’i vetëdijesojnë studentët e tjerë për ruajtjen e hapësirave të gjelbra.
“Ideja ka qenë që diplomimin tonë ta shënojmë me mbjelljen e disa pemëve në kampusin universitar, me ç’rast falënderoj dekanen e Fakultetit të Filologjisë për sigurimin e këtyre drurëve. Do të ishte mirë që ky aktivitet të shndërrohet në një ritual pas çdo diplomimi”, tha ajo.

Absolventët e Gazetarisë ishin studentët e gjeneratës së 12 të këtij departamenti, të cilët zyrtarisht diplomuan me datë 10 korrik 2019.