PËRFUNDOI TRAJNIMI I NIVELIT BAZIK “MËSIMDHËNIA NË ARSIMIN E LARTË” E ORGANIZUAR NGA QPM

Ftesës së Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për aplikim për trajnimin bazik “Mësimdhënia në arsimin e lartë” të publikuar më 7 maj 2018 iu përgjigjën rreth 150 profesorë dhe asistentë, staf i rregullt i Universiteti të Prishtinës.

Më 17 dhe 18 maj 2019 u mbajtë trajnimi dyditor për grupin e parë të kandidatëve. Trajnimi i cili u realizua nga trajnerët e certifikuar të QPM-së në hapësirat e Departamentit të Anglishtes. U vlerësua lartë nga pjesëmarrësit, të cilët shprehën mirënjohje për përmbajtjen dhe organizimin, por edhe dhanë sugjerime për kurse të reja trajnimi të cilët do të përqendroheshin në çështje të caktuara të fushëveprimit të stafit akademik të UP-së

Përmes këtij trajnimi, vijuesit u njohën me teori dhe qasje të ndryshme bashkëkohore përkitazi me mësimdhënien dhe të nxënit. Gjatë trajnimit pjesëmarrësit i këmbyen përvojat me trajnerët e QPM-së si dhe me kolegët e tyre duke marrë pjesë në veprimtaritë e larmishme, të cilat  do të mund t’i zbatojnë në punën e tyre me studentët, duke synuar gjithnjë avancimin e shkathtësive të tyre mësimdhënëse, si dhe përmirësimin e rezultateve të studentëve përmes promovimit të të nxënit aktiv.

Gjatë muajit maj dhe qershor Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie do të ofrojë radhë të tjera trajnimesh për kandidatët të cilët tashmë janë përzgjedhur si në trajnimin e nivelit bazik “Mësimdhënia në arsimin e lartë” ashtu edhe në atë të avancuar “Planifikimi dhe implementimi i mësimdhënies në arsimin e lartë.