Rektori Dema priti sot në rektorat Prof. Béla Merkely, Rektori i Universitetit Semmelweis në Hungari

Prof. Dr. Marjan Dema, Rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot priti në rektorat Prof. Béla Merkely, Rektori i Universitetit Semmelweis në Hungari. Rektori Dema e njohu homologun Merkely me historikun dhe zhvillimet aktuale në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke theksuar reformat e ndërmarra gjatë mandatit në vazhdim. Rektori Merkely bëri një ekspoze të Universitetit Semmelweis dhe prezantoi ambiciet e tij në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit, të cilat pjesëmarrësit konstatuan se janë vizion i përbashkët i të dyja institucioneve. Rektorët nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila institucionalizoi bashkëpunimin e profesorëve të të dyja universiteteve dhe e cila pritet të trasojë rrugën drejt një bashkëpunimi më të ngushtë në sferën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe përfaqësimit të komunitetit shkencor në sferën evropiane. Rektori Merkely falënderoi Rektorin Dema për pritjen dhe e ftoi për një vizitë zyrtare me rastin e 250 vjetorit të Universitetit Semmelweis. Rektori Merkely po merr pjesë në Kongresin e Kardiologjisë në Prishtinë dhe shoqërohej në takim nga Prof. Dr. Gani Bajraktari. Të pranishëm në takim ishin po ashtu Prof. Dr. Hysen Bytyqi, Prorektor për Mësim & Çështje të Studentëve dhe Prof. Ass. Dr. Dashamir Bërxulli, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar.