Mbahet ceremonia solemne e promovimit të doktorëve të shkencës në UP

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u mbajt ceremonia solemne e promovimit të doktorëve të shkencës.

Kjo ngjarje kishte për qëllim promovimin e punës shkencore të 16 doktorantëve në bashkëpunim me mentorët e tyre dhe trupat profesionalë dhe akademikë përkatës. Me hulumtimet e tyre doktorët e rinj të shkencës kanë sjellë njohuri të rëndësishme shkencore, duke konfirmuar cilësinë e studimeve në UP dhe rëndësinë e këtij institucioni për shkencën kombëtare.

Në këtë ceremoni të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili u shpreh i kënaqur që Universiteti i Prishtinës, vazhdimisht po promovon doktorantë të rinj të shkencave.

Duke iu uruar mirëseardhje, kam kënaqësinë, që sot të bëj promovimin solemn të 16 kandidatëve për doktorë të shkencave, të cilët kanë plotësuar kushtet për dhënien e gradës Doktor i Shkencave.  Ndjehem i lumtur, që Universiteti i Prishtinës, vazhdimisht po promovon doktorë të rinj, të cilët po kontribuojnë në zhvillimin e universitetit” u shpreh rektori Dema.

16 doktorët e promovuar janë nga njësi të ndryshme akademike të UP-së: Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Filologjisë, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.