Profesoresha Majlinda Kelmendi, me ekspozitë personale në Itali
Profesoresha e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Majlinda Kelmendi, më 16 janar 2019, do të hapë ekspozitën e saj personale në Romë të Italisë.

Ekspozita me titull "COESISTENZA" do të hapet në orën 17:00, në Muzeun Laboratori i Artit Bashkëkohor (MLAC) në Universitetin Sapienza, Romë. Në hapjen e kësaj ekspozite, përveç Kelmendit, do të marrin pjesë edhe presidenti i Fondacionit Sapienza në Romë, z. Antonello Folco Biagini, si dhe drejtori i MLAC-ut, z. Claudio Zambianchi.

Për profesoreshën Kelmendi përgatitja e kësaj ekspozite se bashku me Muzeun e Artit Bashkëkohor në Universitetin Sapienza në Romë, ka qenë një eksperiencë sfiduese dhe emocionuese.
“Unë do të paraqes veprat e mia të reja që kam realizuar prej dy vjetësh. Ky projekt është tepër me rëndësi, pasi prezantohem si pedagoge e degës së Artit Konceptual dhe Mediave të Reja në Fakultetin e Arteve. Jam e bindur se ky bashkëpunim do të hedhë baza për bashkëpunime të mëtejshme me studentë dhe pedagogë mes nesh,” thotë Kelmendi, lidhur me këtë projekt.

Majlinda Kelmendi që nga viti 2000 është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës - Fakultetin e Arteve, Departamenti i Artit Konceptual dhe Mediave të Reja. Ajo është artiste e njohur e artit, e cila është e vlerësuar ndërkombëtarisht. Prof. Kelmendi ka ekspozuar punën e saj në vende të ndryshme ndërkombëtare, si: Italia, Austria, Gjermania, Hungaria, Portugalia, Belgjika, Spanja, Polonia, Teksasi / SHBA, Republika Çeke, Bullgaria, Mali i Zi, duke marrë çmime të rëndësishme dhe mirënjohje.

Ekspozita "COESISTENZA" do të jetë e hapur për publikun deri më 31 janar 2019 në muze. Më shumë për ekspozitën kuptoni duke klikuar linkun në vijim:
http://www.museolaboratorioartecontemporanea.it/evento/inaugurazione-mostra-di-majlinda-kelmendi-coesistenza/

Kjo ngjarje organizohet nën patronazhin e Ambasadës së Kosovës në Itali, Fondacionit Sapienza në Romë dhe Universitetit Sapienza të Romës.