Fillon kursi akademik i gjuhës kroate në UP
Në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka filluar zyrtarisht kursi akademik i gjuhës kroate, i cili do të mbahet nga profesoresha e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Zagrebit, Ivançica Bankoviç - Mandiç.

Prorektorja për buxhet dhe financa në UP, prof. dr. Myrvete Badivuku – Pantina, ambasadorja e Republikës Kroate në Kosovë, znj. Marija Kapitanoviq, dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Lindita Sejdiu Rugova dhe shumë personalitete tjera, morën pjesë në hapjen zyrtare të kursit, organizuar në amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë.

Në hapjen e këtij kursi akademik, dekanja Sejdiu – Rugova tha se është hera e parë që në Universitet të Prishtinës po fillon një kurs akademik i gjuhës kroate, ndonëse ideja e një investimi të këtij lloji në këtë fakultet ishte e kamotshme.
“Do të jetë mundësi e mirë për të mësuar jo vetëm gjuhën kroate, por edhe për t’u njoftuar me kulturën, muzikën dhe të gjitha gjërat që lidhen me vendin kroat”, ka thënë ajo.
 
Në hapjen solemne të kursit akademik të gjuhës kroate ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, znj. Marija Kapitanoviq.  Ambasadorja Kapitanoviq u shpreh shumë e lumtur për fillimin e këtij kursi, përmes të cilit studentët do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë sesa vetëm gjuhën, si dhe do të kenë mundësinë që, pas përfundimit të studimeve në UP, t’i vazhdojnë ato në Kroaci. Ajo gjithashtu informoi të pranishmit që së shpejti edhe profesorët e gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës do të fillojnë me mbajtjen e ligjëratave në Universitetin e Zagrebit.

Ndërkaq, profesoresha e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Zagrebit, Ivançica Bankoviç-Mandiç, tha se ndjehet shumë e lumtur për ftesën që i është bërë nga Fakulteti i Filologjik në UP për ta ligjëruar gjuhën kroate para studentëve të UP-së.

Deri më tani janë lajmëruar 30 studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë shprehur interesim për ta ndjekur kursin akademik të gjuhës kroate. Ky kurs do të vazhdojë edhe në semestrin tjetër, si cikël ligjëratash, ku të drejtë aplikimi kanë studentët e UP-së, me theks të veçantë studentët e Fakultetit të Filologjisë.