UP me mbledhje komemorative nderon jetën dhe veprën e prof. dr. Mehdi Jasharit
Amfiteatri i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ishte i mbushur me akademikë, familjarë, miq, kolegë dhe studentë të profesorit tashmë të ndjerë, prof. dr. Mehdi Jasharit, të cilët u mblodhën në këtë tubim komemorativ për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema u shprehu ngushëllimet e tij familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve të profesorit Jashari, teksa vlerësoi lartë kontributin që ai ka dhënë në fushën e arsimit të lartë dhe për sportin vendor.
“Profesor Mehdiu, me kontributin e tij në arsimin e lartë dhe në sport, na la një thesar të tërë pas vetes. Ai që shembull për kolegët, studentët dhe të gjithë ata që e njohën, për çka do të kujtohet si mësimdhënës dhe dekan me një personalitet të lartë”, tha Dema në fjalën e tij.

Rektori Dema e vlerësoi lartë edhe kontributin që prof. dr. Mehdi Jashari ka dhënë si pjesë e menaxhmentit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në UP.  
Profesor Mehdi Jashari, përveç si pedagog dhe sportist i denjë, la gjurmë në Universitetin tonë edhe me angazhimin e tij në pozita menaxheriale të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, si prodekan për dy mandate dhe me si dekan i FEFS-it për një mandat.

Ndërkaq, biografinë e prof. dr. Mehdi Jasharit para të pranishmëve e shpalosi dekani i FEFS-it, prof. asoc. dr. Musa Selimi. Ai tregoi që në vitin 1983 profesor Mehdi Jashari është angazhuar si ligjërues në UP, përkatësisht në Fakultetit e Edukimit Fizik dhe Sportit në Prishtinë, ku dha kontributin e tij për dekada me radhë. Dekani Selimi e vlerësoi lartë personalitetin e profesorit të ndjerë dhe u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve.

Fjalë rasti në këtë komemoracion mbajtën edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, z. Eugen Saraçini dhe profesori Mustafë Aliu, kolegë i profesorit të ndjerë.

Ndërkaq, në fund të ceremonisë, në emër të familjes fjalën e mori vajza e profesorit Mehdi Jashari, e cila falënderoi Universitetin e Prishtinës dhe kolegët e profesorit të ndjerë për nderimin që i kanë bërë figurës se tij.

Prof. dr. Mehdi Jashari ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare. Ai ka ligjëruar lëndë të ndryshme në kuadër të FEFS-it, si: Lëndën e Hendbollit, Lëndën e Notit, Teorinë e Trajningut  Sportiv dhe  Historinë  e Kulturës Fizike dhe Sportit, teksa ka shërbyer edhe si dekan i këtij Fakulteti për një mandat (2000 – 2004).