UP organizon mbledhje komemorative në nderim të veprimtarit, Adem Demaçi
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar mbledhje komemorative pas ndarjes nga jeta e veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçit.

Mbledhja komemorative ka filluar me një minutë heshtje, me anë të të cilit të pranishmit kanë nderuar jetën dhe veprën e Demaçit.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, tha që qe të gjithë janë dëshmitarë të madhështisë së Bacës Adem, të cilin nga respekti dhe dashuria, i gjithë populli e thërret bacë.
“Unë me emrin e bacës Adem së pari jam njoftuar si fëmijë 10 vjeçar nga vëllai im që e takoi bacën Adem në burgun e Mitrovicës së Sremit. Në vitet në vijim, ishte pikërisht ky emër ai që na frymëzoi që të jemi studentë të mirë, ky emër na motivoi dhe na dha guxim që të jemi të pandalshëm në protesta, demonstrata dhe në shumë fronte, deri sa arritëm realizimin e ëndrrës se bacës Adem, pavarësinë e Kosovës”, tha Dema.
Rektori tha që vepra e bacës Adem do të jetojë gjatë në kujtesat tona dhe do të kujtohet brez pas brezi edhe nga stafi dhe studentët e Universitetit të Prishtinës.

Para të pranishmëve, një rezyme për biografinë e të ndjerit e dha profesoresha Myrvete Dreshaj – Baliu, e cila foli për kontributin e Demaçit në arsim dhe shtetformim.
“Këto ditë u nda nga jeta simboli më emblematik i epokës sonë, Adem Demaçi, njëri prej personaliteteve më të mëdha shqiptare dhe i përmasave botërore i shekullit që lamë pas dhe i këtij shekulli”, tha Dreshaj-Baliu.

 

Ndërkaq, në emër të familjarëve, Shqiptar Demaçi, i biri i Adem Demaçit, ndau me të pranishmit kujtimet nga viti 1994, ku babai i tij ishte i përfshirë në protesta dhe demonstrata të studentëve për të arritur qëllimet për liri dhe pavarësi.

Në vitin 2011, Adem Demaçi është shpallur “Doctor Honoris Causa” i Universitetit të Prishtinës. Ky titull i është ndarë për kontributin që ai ka dhënë gjatë tërë jetës së tij për çlirimin e Kosovës, për kontributin e shquar akademik, për angazhimin në përfaqësimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare, si dhe për ruajtjen e demokracisë, sigurisë dhe paqes në rajon.