Rektori Dema uron libradashësit në "Ditën e Bibliotekës"

Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës  “Pjeter Bogdani” u mbajt sot ceremonia e shënimit të “Ditës së Bibliotekës” dhe “Ditës Ndërkombëtarë të Vetëdijesimit për Biblioteka”, e organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjeter Bogdani” dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. Dr. Marjan Dema në fjalën e tij uroi të gjithë ithtarët e librit, në veçanti nxënësit dhe studentët e vendit. Ai bëri thirrje për lexim.
“Me shumë respekt për Bibliotekën si institucion, por edhe për vetë konceptin e bibliotekës në tërësi, ju bëj thirrje për lexim, respekt e dashuri të librit dhe ndaj librit. Vetëm kjo ndërmarrje do të sjellë të mira për gjithë shoqërinë dhe do të rrisë vetëdijen për zhvillimin e dijes dhe të kulturës sonë!” tha Dema.
Ai në fund të fjalës së tij uroi komunitetin bibliotekar për punën e tyre, duke e përfunduar me thirrjen:
“Vazhdoni e na ndriçoni mendjen me libra dhe dituri!”

Të pranishmëve me fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjeter Bogdani”, z. Fazli Gajraku. Ai u shpreh shumë i lumtur për të arriturat e kësaj Biblioteke, si dhe shfrytëzoi rastin që të kërkonte edhe më tepër mbështetje nga Qeveria për investime në Bibliotekë.

Për rëndësinë e kësaj dite fjalë rasti mbajti edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Burbuqe Bakija-Deva, e cila në emër të Ministrisë premtoi mbështetje për Bibliotekën.
Të pranishmëve me urime për këtë dite iu drejtua edhe zëvendësdrejtoresha e Sektorit për Marrëdhënie me Publikun në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, znj. Erin Mains, ndërkaq në detaje për aktivitetet e kësaj dite foli koordinatorja e projektit Erasmus + LNSS, znj. Bukurije Haliti.

Në fund të këtij takimi, nga stafi i Bibliotekës u shpërndanë mirënjohje për punëtorët e dalluar të Bibliotekës, në këtë 73 vjetor të themelimit të saj.
Aktivitetet e kësaj dite vazhduan me ekspozitën “In momoriam At’ Zef Pllumi”.