Rektori Sahiti i shpreh ngushëllime familjes Dërmaku

E nderuara familje Dërmaku,

Me pikëllim të thellë, e pranuam lajmin e ndarjes nga jeta të prof. asoc. dr. Arben Dërmakut.

Dërmaku ishte studiues i ekonomisë dhe profesor universitar, i cili rrugëtimin në UP e filloi si student në vitin 1995, në Fakultetin Ekonomik. Ndërkaq, si asistent, iu bashkua Fakultetit Ekonomik pas përfundimit të studimeve të magjistraturës në po këtë njësi akademike, në vitin 2002, për t’u avancuar më pas si kuadër i rregullt i këtij fakulteti.

Profesor Dërmaku, përveç angazhimeve në mësimdhënie, dha kontribut të madh edhe si ligjërues dhe pjesë e ekipit menaxherial në qendrën në Gjilan të Universitetit të Prishtinës. Ai ka pasur rol të rëndësishëm në themelimin e Universitetit “Kadri Zeka”, ku për një periudhë ka ushtruar edhe detyrën e rektorit të këtij universiteti.

Dërmaku do të kujtohet nga studentët dhe kolegët si një profesor i përkushtuar dhe një personalitet me vlera të larta, i cili la pas një shembull për t’u ndjekur.

Prandaj, më lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, t’iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e hershme të më të dashurit tuaj.

I paharruar qoftë kujtimi për profesor Dërmakun!

Me respekt,
Prof. dr. Naser Sahiti – rektor