Rektori Sahiti takon koordinatoren e zyrës për zhvillim të OKB-së në Kosovë, Richardson
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim koordinatoren e Zyrës për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, znj. Ulrika Richardson. Sahiti dhe Richardson diskutuan rreth bashkëpunimit paraprak ndërmjet organizatave që përfaqësojnë, si dhe hapave që do të ndërmerren në të ardhmen, me qëllim thellimin e këtij bashkëpunimi.

Rektori Sahiti e falënderoi zonjën Richardson për vizitën e bërë në rektoratin e UP-së, teksa prezantoi disa nga sfidat e këtij fillimi të mandatit dhe objektivat për të ardhmen e menaxhmentit.
“Ne jemi shumë të hapur për bashkëpunim, por qëllimi ynë është që t’i përzgjedhim disa nga marrëveshjet e bashkëpunimit që i kemi arritur deri me tani dhe të përcaktohemi që të punojmë intensivisht në implementimin e disa prej tyre,” shtoi rektori.

Ndërkaq, znj. Richardson e përgëzoi rektorin për detyrën e re, të cilën e konsideroi si prestigjioze dhe me përgjegjësi të mëdha. Richardson me optimizëm shtoi qe me këtë ekip kompetent, shumëçka mund të arrihet.
Kur unë vij këtu, kam gjithmonë një ndjenjë të mirë sepse gjendem në vendin e dijes, prandaj shpresoj gjithmonë në takime e projekte të reja me ju,” tha ndër të tjerash Richardson.  

Vlen të përmendet që rektori Sahiti, në këtë takim, ishte i shoqëruar nga prorektorët: prof. dr. Mihane Berisha, prorektore për buxhet dhe financa; prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar; prof. dr. Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje për studentë, si dhe prof. dr. Kurtesh Sherifi, prorektor për kërkime shkencore.