Fjalimi i rektorit Dema në aktivitetin përmbyllës të mandatit të menaxhmentit 2016-2020

I nderuar dr. Ujkan Bajra, kryetar i KD-së,
Të nderuar anëtarë të KD-së,
Të nderuar prorektorë, dekanë, sekretar gjeneral dhe të gjithë ju të pranishëm.

Ju falënderoj nga zemra për prezencën tuaj, si dhe i falënderoj organizatorët e këtij takimi modest, me çka do të shënojmë simbolikisht përfundimin e mandatit 4.5-vjeçar të këtij menaxhmenti.

Kur e mora mandatin e të parit të Universitetit të Prishtinës, ky institucion ishte në pozitë të palakmueshme. Para vetës kisha një grumbull punësh dhe sfidash, si dhe vizionin tim se ku duhej të ishte UP-ja pas përfundimit të këtij mandati.

Ky mandat nuk ishte aspak i lehtë, por po mbyllët me suksese të prekshme. Këto suksese janë rezultat i angazhimit ekipor që filloi me lidershipin e profesor Salihut, i cili me urtësi dhe mençuri e udhëhoqi KD-në e asaj kohe, duke ndihmuar që të dalim nga pozita e palakmueshme, në të cilën gjendej UP-ja. Ky Këshill Drejtues dha kontribut të shkëlqyer në përpilimin e planit strategjik të parë, që ishte udhërrëfyes i yni gjatë këtij rrugëtimi, si dhe shumë rregullore që ndihmuan të bëjmë hapat e parë të ndërtimit të sistemit funksional në UP.

E falënderoj Këshillin Drejtues aktual për profesionalizëm në përpilimin e rregulloreve, për të krijuar një kontroll dhe sistem funksional financiar.

I falënderoj studentët për angazhim të pashoq në rrugëtimin tonë drejt transformimit të UP-së nga një universitet i bazuar në teori kah një universitet i bazuar në ndërtimin e shkathtësive të studentëve, të cilët janë në gjendje të adresojnë sfidat e së ardhmes.

I falënderoj prorektorët dhe dekanët, të cilët më ndihmuan që të ndërtojmë një sistem funksional, të bazuar në standarde të avancuara, që sigurojnë progres të vazhdueshëm të UP-së.

E falënderoj stafin akademik dhe joakademik për kontributin e dhënë në implementimin e sistemit në praktikë. Falënderim shkon edhe për sekretarin gjeneral, këshilltarin juridik, asistenten time dhe të gjithë të tjerët, me të cilët kemi pasur takime pune të përditshme.

I falënderoj të gjitha qeveritë e Kosovës që na ndihmuan në këtë proces.

I falënderoj mediat, shoqërinë civile, institucionet publike dhe kompanitë private.

E falënderoj komunitetin ndërkombëtar, që me projekte, fonde, trajnime dhe forma tjera ishte partner i pandashëm i UP-së.

Pa ju sot nuk do të ishte realizuar ëndrra ime, të kemi universitetin më të mirë në trojet shqipfolëse: me standarde të larta në fusha të ndryshme akademike, me imazh të mirë në vend dhe jashtë vendit, me akreditim 5-vjeçar, me mbi 250 memorandume të bashkëpunimit, të ngritur lartë në ranglista botërore të universiteteve, më cilësi në mësimdhënie, mësimnxënie dhe hulumtime shkencore dhe kreativitet artistik, me infrastrukturë të avancuar, një universitet të lidhur ngushtë me tregun e punës, me biznese dhe me komunitetin në përgjithësi.

Krahas gjithë këtyre faktorëve që më ndihmuan, pa dyshim se implementimi i Vlerave themelore të arsimit të lartë, siç janë: integriteti, përgjegjësia, liria akademike, llogaridhënia, transparenca dhe përgjegjësia publike na ndihmuan që stabiliteti, reformat dhe standardet të jenë të qëndrueshme.

Për mua UP-ja ishte kapitull i ndritshëm në historinë e vendit tonë dikur dhe vazhdon të jetë ndriçuesi më i madh i shoqërisë së së nesërmes edhe sot!

Me nderime,
Prof. dr. Marjan Dema
Rektor.