NJOFTIM RRETH VENDIMEVE PARANDALUESE TË UP-së PËR COVID-19

NJOFTIM

  1. Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, në kuadër të masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus COVID-19, kërkon mirëkuptim nga të gjithë studentët, personeli i UP-së dhe palët e interesit që kanë nevojë për shërbime administrative, të cilat nuk janë të domosdoshme dhe urgjente në këtë fazë, që këto shërbime t’i kërkojnë vetëm pas tejkalimit të situatës aktuale, respektivisht pandemisë COVID-19.
  2. Arsyetimi për shmangien e dhënies së shërbimeve me dokumente fizike, të cilat nuk janë urgjente, bazohet në kujdesin e shtuar për mbrojtjen e shëndetit të punësuarve/palëve, familjarëve të tyre dhe të shoqërisë në përgjithësi.
  3. Të gjitha palët të cilat kanë qenë pjesë e Konkursit nr. 2/872, datë 22.10.2019, për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik dhe që janë pajisur me vendim/njoftim për mos zgjedhje apo mos avancim në pozitën të cilën kanë konkurruar, njoftohen se afatet ligjore për ushtrim të ankesës nga data 16.3.2020, pezullohen deri në ditën e heqjes së pezullimit të procesit mësimor. Pas heqjes së masës së pezullimit të procesit mësimor, palët do të kenë në dispozicion për parashtrim të ankesës aq ditë sa u kishin mbetur para se të merrej ky vendim.
  4. Obligohen, të gjithë dekanët e fakulteteve të caktojnë personin përgjegjës për menaxhim të e-mailit zyrtar të fakultetit, në mënyrë që mungesa eventuale fizike në vendet e punës të mos jetë pengesë për kryerjen e punëve të domosdoshme, të cilat mund të kryhen nga shtëpia (psh. përgjigje në pyetje apo kërkesa të ndryshme).
  5. Kërkesat e studentëve apo të diplomuarve për pajisje me dokumente të cilat janë urgjente në këtë fazë në të cilën gjendemi (certifikata, transkripte, diploma etj..), duhet të shqyrtohen me seriozitet, ndërsa pas shqyrtimit të kërkesës, të njëjtit duhet të njoftohen përmes emailit, për kohën e saktë të pajisjes me dokumente përkatëse. Dokumentet mund të dërgohen përmes emailit të skanuara apo në kohën e caktuar, mund pranohen nga pala në kopje fizike.
  6. Rekomandohen të gjithë dekanët që të ndërmarrin masa shtesë, varësisht nga situata që mund të paraqitet.

 

Sinqerisht,

Rektori i Universitetit të Prishtinës

Prof. Dr. Marjan Dema