Hapet ekspozitë e studentëve të Fakultetit të Arteve

10 Nëntor 2021
SHARE

Piktura, skulptura, instalacione e vepra të tjera artistike u ekspozuan sot në Galerinë e Arteve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kuadër të “Ekspozitës së Tetorit - Çmimi Profesor Muslim Mulliqi”.

Ekspozita paraqet përmbledhjen vjetore të punimeve artistike të studentëve të Fakultetit të Arteve të UP-së dhe është kuruar nga komisioni në përbërje të: prof. Adem Rusinovcit; prof. Ismet Jonuzit dhe asistentit Arton Behramaj.

I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte rektori, prof. dr. Naser Sahiti. Ai tha që është i lumtur të gjendet në një ambient të tillë, në mesin e studentëve dhe i rrethuar me punimet e tyre unike dhe artistike.
“Janë vërtet punë të mrekullueshme veprat që po i shoh të ekspozuara sot. Për këtë dua t’ju përgëzoj juve studentë të dashur si dhe menaxhmentin e fakultetit dhe profesorët që kanë punuar me ju,” tha, ndër të tjerash, rektori.

Për punimet e ekspozuara nga studentët foli edhe dekani i Fakultetit të Arteve, prof. dr. Hazir Haziri. Ai e falënderoi rektorin Sahiti për prezencën e tij, me anë të së cilës rektori po dëshmon edhe mbështetjen për studentët. Ndërkaq, i përgëzoi studentët, të cilët, në kohën e vështirë të përballjes me pandeminë Covid-19, kanë gjetur motivin për të punuar në vepra të bukura të artit.

Për rrugëtimin e ekspozitës dhe idesë për të paraqitur punën e studentëve foli edhe prodekani i Fakultetit të Arteve, prof. Mehmet Behluli. Ai tha që në këtë ekspozitë janë paraqitur punimet më unike të studentëve.

Gjatë ekspozitës është ndarë edhe çmimi për veprën artistike më të mirë. Këtë çmim e fitoi studentja Ulpiana Kurtaj.

Kjo ekspozitë e studentëve tanë do të jetë e hapur për publikun deri më 20 nëntor 2021.