Thirrje për pjesëmarrje në Shkollën Dimërore të BE-së, në Prishtinë
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me European Young Cell Alumni Kosovo dhe projektin Young Cell Scheme, organizon Shkollën Dimërore të Bashkimit Evropian, e cila do të mbahet në amfiteatrin e ri të Fakultetit Filozofik. Shkolla Dimërore Evropiane 2020 do të mbahet ndërmjet datave 3 dhe 6 shkurt 2020.

Profesorë nga KU Leuven, Universiteti i Tilburgut, Universiteti i Prishtinës si dhe Alumni Young Cell, të cilët përfunduan studimet e masterit në universitetet prestigjioze të BE-së dhe që aktualisht janë të angazhuar në shërbimin civil në Kosovë, do të ligjërojnë rreth temave të ndryshme që lidhen me dy rryma kryesore: aspektet ligjore të mbrojtjes së mjedisit në BE dhe implikimet kryesore politike të politikës mjedisore të BE-së, si dhe sfidat më relevante politike dhe juridike të mbrojtjes së mjedisit në Kosovë: Rastet dhe zgjidhjet.

Gjatë shkollës, përveç ligjëratave, do të mbahen edhe debate lidhur me çështjet e diskutuara.

Për të marrë pjesë në këtë shkollë dimërore duhet që: të jeni student në vitin e dytë, tretë ose të katërt të studimeve baçelor ose student i nivelit master në Kosovë; fusha juaj e studimit të ketë lidhje me politikën mjedisore, ndryshimin e klimës, zhvillimin e qëndrueshëm, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ligjin. Aplikantët tjerë inkurajohen të aplikojnë nëse kanë njohuri përkatëse ose interes të veçantë në fushat e lartpërmendura; të keni të paktën nivelin e komunikimit B1 ose B2 në gjuhën angleze dhe keni përparësi nëse keni qenë ndonjëherë pjesëmarrës në projekte apo në organizata joqeveritare. 

Të gjithë të interesuarit duhet që ta plotësojnë formularin e aplikimit; ta dorëzojnë CV-në, një letër motivuese në gjuhën angleze rreth asaj se pse duan të aplikojnë dhe një dëshmi të statusit të studentit në emailin [email protected].

Afati i fundit për aplikim është data: 20 janar 2019, ora 17:00 dhe për çdo pyetje luteni që të drejtoheni në emailin: [email protected].

Me poshtë gjeni dokumentet relevante për këtë aktivitet:
Agjenda
Formulari 
Thirrja zyrtare (ENG)
Thirrja zyrtare (shqip) 
Koncepti i projektit