Rektori Dema uron mësimdhënësit për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema uroi mësimdhënësit e UPHP-së dhe gjithë mësimdhënësit e tjerë për 7 Marsin – Ditën e mësuesit.

“Në emër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kam kënaqësinë e veçantë t’ua uroj 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Mësimdhënia është profesioni më i çmuar, më i dobishëm për shoqërinë dhe që ka ndikimin më të madh në lumturinë e përbashkët. Uroj të gjithë ata mësimdhënës që mbi supe kanë marrë këtë detyrë sublime, të shërbejnë me vullnet dhe dashuri, të përhapin dije dhe dritë tek fëmijët dhe shoqëria, e kështu së bashku ta orientojmë timonin e rrugëtimit të kësaj shoqërie drejt zhvillimit të saj”.

Këto fjalë Dema i tha gjatë ceremonisë së organizuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për shënimin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit.

Ai ndër të tjerash foli edhe për punën që është bërë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga ardhja e tij në detyrën e rektorit të këtij Universiteti.
“Së bashku me ekipin tim, por edhe gjithë akterët e këtij institucioni, jam duke u angazhuar që studentët të kenë një ambient më të mirë për mësimnxënie, pastaj në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, si dhe në zhvillimin e veprimtarive të tjera akademike. E gjithë kjo punë është duke u bërë sipas objektivave të parapara në Planin Strategjik 2017 - 2019, me qellim që UPHP të bëhet një Universitet i njohur globalisht për profesionalizëm, integritet, mësimdhënie cilësore dhe hulumtim”.

Në këtë aktivitet, 7 Marsin - Ditën e Mësuesit e uruan edhe zv. ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arbër Geci, dekani i Fakultetit të Edukimit në UPHP, Ethem Ceku dhe znj. Elizabethe White, u.d. drejtoreshë e British Council në Kosovë.

Për nder të kësaj dite u bë edhe shpërndarja e mirënjohjeve për mësueset e përzgjedhura, partnerët dhe donatorët e Fakultetit të Edukimit, u përuruan dy laboratorë të rinj dhe u nderua figura e znj. Edith Durham dhe e Presidentit Woodrow Wilson, personalitete të çmuara për kombin