44 studentë të UPHP-së përfundojnë praktikën në sektorin e energjisë
Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur sot ceremonia mbyllëse e programit REPOWER, ku u certifikuan studentët të cilët kane përfunduar praktikën gjashtë mujore në sektorin e energjisë, përkatësisht në: Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe të Tregut (KOSTT).

Në këtë ceremoni u certifikuan 47 praktikantë, prej tyre 44 studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe tre studentë të Rochester Institute of Technology (RIT) në Kosovë.

Prezent në ceremoninë mbyllëse të programit REPOWER ishin: Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, shkëlqesia e tij, z. Greg Delawie, drejtori i USAID-it në Kosovë, z. James Hope, presidentja e RIT-it, Znj. Sharon Hart, përfaqësues të sektorit të energjetikës, profesorë e studentë.

Rektori Dema tha qe për të si rektor nuk ka sukses më të madh sesa suksesi i studentëve të tij.
“Për mua, si i pari i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, asgjë nuk ka më tepër vlerë sesa kur shoh se si studentët tanë, përmes atyre që kanë mësuar në Universitet arrijnë të krijojnë karrierë e të jenë të dobishëm për shoqërinë” tha Dema, ndërkaq falënderoi USAID-in dhe institucionet nga sektori i energjetikës që kanë bashkëpunuar në jetësimin e programit REPOWER.

Për finalizimin me sukses të praktikes, studentët i përgëzoi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, shkëlqesia e tij, z. Greg Delawie. Ai tha se zhvillimi i një gjenerate të re dhe të talentuar në fushën e energjisë është shumë e nevojshme, derisa foli edhe për rëndësinë e punës praktike në arsim.
Nuk ka zëvendësim për punën praktike, madje edhe edukimi më i mirë në botë nuk është i kompletuar pa praktikë. Sektori i energjisë në Kosovë ka bërë hapa drejt modernizimit, prandaj duhen studentë që kanë kryer praktikë” theksoi Delawie.

Finalizimin me suksese të programit gjashtë mujor të praktikes përmes REPOWER e përshëndeti edhe znj. Sharon Hart, presidente e Rochester Institute of Technology (RIT) dhe Petrit Pepaj, drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ku edhe disa nga studentët kanë kryer praktikën.

Dhe para se të shpërndaheshin certifikatat për studentët e programit REPOWER, studentja e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila kishte përfunduar praktikën gjashtëmujore në KOSTT. prezantoi para të pranishmëve eksperiencën e saj.

Ne fund te ceremonisë, ambasadori Delawie, Rektori Dema dhe presidentja e RIT, znj. Hart shpërndanë certifikatat për studentët.

Projekti REPOWER është realizuar nga USAID-i ne bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Rochester Institute of Technology (RIT), si rrjedhojë e nevojave aktuale dhe të ardhshme të sektorit të energjisë në vend për personel të kualifikuar dhe profesional.
Ky program ka ngritur kapacitetet e studentëve në çështjet e sektorit të energjisë duke u dhënë atyre mundësinë që për së afërmi të njoftohen me proceset e punës brenda institucioneve kyçe të këtij sektori në Kosovë. Vlen të theksohet së projekti REPOWER i ka kushtuar rendësi ndjeshmërisë gjinore te këtij sektori, duke u përpjekur qe të rris kapacitetet e femrave ne sektorin e energjisë, ku 55 % të praktikantëve brenda tri cikleve të përfunduara të programit të punës praktike përbëheshin nga femrat.