UP shpërblen me mirënjohje studentët dhe profesorët realizues të hulumtimit “10 vjetori i pavarësisë së Kosovës – pritje, përvojë dhe kujtesë”
Rektori i Universitetit te Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, në një ceremoni formale të organizuar në Rektoratin e UPHP-së, shpërbleu me mirënjohje studentët dhe profesorët realizues të hulumtimit “10 vjetori i pavarësisë së Kosovës – pritje, përvojë dhe kujtesë”.

Ky hulumtim është realizuar nga Departamenti i Sociologjisë i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinë “Hasan Prishtina”, në kuadër të lëndëve "Praktikumi sociologjik" dhe "Teoria dhe praktika e kërkimit shkencor", nën drejtimin e mësimdhënësve: prof. ass. dr. Shemsi Krasniqi dhe ass. ma. Artan Krasniqi.

Në fjalën përshëndetëse të tij, Rektori Dema u tha studentëve dhe profesorëve iniciues të hulumtimit që më punën e bërë në këtë hulumtim e kanë bërë Universitetin krenar. “Me anë të kësaj mirënjohjeje formale dëshiroj të përçoj mesazhin e nderit dhe mirënjohjes për punën tuaj, ashtu siç na keni bërë ju krenar me punën tuaj për ditën e veçantë të popullit tonë, 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, u tha Dema ekipit organizues të hulumtimit. 

Ndërkaq, profesori Shemsi Krasniqi falënderoi Rektorin Dema për mirënjohjen e treguar për punën e tyre. Profesori Krasniqi tregoi për rrugëtimin deri tek realizimi i këtij hulumtimi, ku ndër të tjerash informoi që hulumtimet në kuadër të kursit “Praktikumi Sociologjik” janë traditë tashmë nëntë vjeçare.

Në realizimin e hulumtimit “10 vjetori i pavarësisë së Kosovës – pritje, përvojë dhe kujtesë” kanë marrë pjesë 67 studentë të programit baçelor dhe 12 të programit master.

Hulumtimi synon që të vejë në pah se si e kujtojnë qytetarët e Kosovës  shpalljen e Pavarësisë, pastaj si e vlerësojnë ata rolin e politikanëve, qytetarëve, mediave, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare në shtetndërtimin e Kosovës, e të tjera çështje.  Po ashtu, në kuadër të këtij hulumtimi janë matë edhe arritjet në 15 fusha të ndryshme, si: shëndetësia, arsimi, kultura, ekonomia, ligji, barazia gjinore, të drejtat e minoriteteve, lufta kundër korrupsionit, integrimi në BE, nga ku është krijuar një pasqyrë për kënaqësitë dhe pakënaqësitë e qytetarëve në raport me gjendjen në të cilën ndodhet Kosova.

\