“Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës - eksperiencë e mrekullueshme, e pa përjetuar më parë”
Rreth 350 ishte numri i studentëve pjesëmarrës në edicionin e 17-të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, mbajtur këtë vit në periudhën 03-14 korrik. Përshtypjet për këtë program të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” rezultuan të jenë të mrekullueshme. Studentët ndërkombëtarë të entuziazmuar, thanë që do të presin edicionin tjetër me padurim, kurse studentët vendorë theksuan që kaluan një eksperiencë të mrekullueshme në vendin e tyre, duke lëvduar shumë organizatorët.

“Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës ka qenë njëra ndër eksperiencat më të mira në jetën time, të cilën ia rekomandoj secilit që dëshiron të vizitoj vende të reja, të mësoj gjëra të reja dhe të takoj njerëz të rinj” tha Sibela Dzafic, studente nga Mali i Zi, e cila ishte pjesëmarrëse në kursin “Aditivët e ushqimit, toksikologjia dhe siguria”. Ajo tha që profesorët dhe studentët e këtij kursi kanë krijuar një lidhje shoqërorë, e cila u mundësonte jo vetëm të studiojnë lehtësisht, por të dëgjojnë opinione diverse, të cilat janë shumë të dobishme edhe pas përfundimit të UVP-së, për profesionin e tyre të së ardhmes.

Ndërkaq, për francezin Julien Guigue “Universiteti Veror i Prishtinës ka qenë një përvojë e mrekullueshme, e pa përjetuar më parë”.
Nuk e kam vërejtur fare kohën, sepse ikte duke vrapuar, madje jam shumë i mërzitur që kjo eksperiencë ka përfunduar” tha ai lidhur me periudhën e kaluar në UVP.
Guigue, i pyetur për porosinë e tij për studentët që ende nuk kanë pasur fatin të jenë pjesë e UVP-së, u shpreh: “Një porosi? Thjesht provojeni! Mos heziton. Do të shijoni dhe zbuloni një eksperiencë të mrekullueshme”. Madje, ai shtoi që Prishtina, sipas tij, është njëra ndër vendet më miqësore në botë.

Duresa Temaj, studente nga Kosova, tha që përvoja në UVP ka qenë shumë e veçantë, pasi që i ka sjellë shumë shokë të rinj. Ajo tha që në kursin, pjesë e të cilit ka qenë ajo, kanë mësuar shumë gjëra të reja, si dhe kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me studentët dhe profesorët.

Kryeqendra e Kosovës, Prishtina, për studentët ndërkombëtar falë UVP-së mbeti një destinacion i bukur që ia vlen të vizitohet edhe në të ardhmen. Të mrekullueshme ishin përshtypjet e tyre edhe për vendet e tjera të Kosovës, të cilat programi i Universitetit Veror mundësoi të vizitohen nga këta studentë.

Kombinimi i aspektit akademik, me atë shoqëror dhe kulturor, e bëjnë Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës programin më madhor të arsimit të lartë në vendin tonë dhe më gjerë.