Komiteti Këshillëdhënës për Financa i UPHP-së prezanton Manualin për buxhet, financa dhe prokurim
Komiteti Këshillëdhënës për Financa i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në kuadër të tryezës “Reforma e sistemit financiar në Universitetin e Prishtinës”, prezantoi para drejtuesve të Universitetit të Prishtinës, partnerëve dhe donatorëve, si dhe pjesëmarrësve të tjerë, Draft- Manualin për buxhet, financa dhe prokurim për UPHP-në.

Rektori i UPHP-së, prof. dr. Marjan Dema, u shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij Komitetit Këshillëdhënës për punën e bërë në formulimin e këtij Manuali. Dema falënderoi veçanërisht organizatën World Leaning për kontributin e dhënë në vazhdimësi për mirëfunksionimin dhe ngritjen Universitetit të Prishtinës, duke i informuar po ashtu të pranishmit për shumë ndryshime pozitive që kanë ndodhur së fundi në UPHP.

Pjesëmarrësit në këtë tryezë i përshëndeti edhe shefi i Programit të Lidershipit Transformues – Bursave dhe Partneritetetve (TLP – SP), z. Carl Hammerdorfer, Ai foli për rëndësinë e këtyre reformave, duke i ndërlidhur me vetë rëndësinë e UPHP-së në zhvillimin e Kosovës. “UPHP ndër të tjerash është edhe prodhuesi më i madh i burimeve njerëzore në vend, pra i doktorëve, inxhinierëve, ekonomistëve, artistëve, sociologëve, etj.” tha ndër të tjerash Carl.

Punimet e Komitetit Këshillëdhënës për Financa i përshëndeti edhe z. Brian Martalus - drejtor i Zyrës së Zhvillimit Ekonomik në USAID.  Ndërkaq, në pika kryesore, Manualin e prezantoi para të pranishmëve në emër të Komitetit Këshillëdhënës për Financa, z. Nexhat Kryeziu, prezantim i cili u pasua me diskutim nga ana e pjesëmarrësve në tryezë.

Komiteti Këshillëdhënës për Financa në përgatitjen e Manualit për Buxhet, financa dhe prokurim është përkrahur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), përmes organizatës World Learning. Manuali i prezantuar mbulon rregullimin e çështjeve të buxhetit dhe të menaxhimit të financave në kuadër të UPHP-së, përfshirë Rektoratin dhe të gjitha njësitë organizative në kuadër të tij.