UPHP shënon 8 Marsin me konferencën “Gratë në Universitet – Mundësitë, Përparësitë, E ardhmja”
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsin, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” u mbajt konferenca “Gratë në Universitet – Mundësitë, Përparësitë, E ardhmja”.

Rektori i Universitetit Marjan Dema uroj të gjitha gratë në ditën ndërkombëtare të tyre, duke shtuar që përkundër sfidave, megjithatë ka shumë për të festuar.

“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka një përfaqësim dinjitoz të grave në Këshillin Drejtues, në menaxhment, në stafin akademik, e më tepër në stafin administrativ, ku 62% e punonjësve janë gra dhe vajza. Po ashtu, gratë dhe vajzat përbejnë pjesën dërrmuese të studentëve në UPHP, ku 57.5% e tyre i takojnë kësaj gjinie” informoi Rektori Dema. Dema shtoi që gratë në historikun e UPHP-së kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e këtij institucioni dhe është pikërisht kontributi i tyre ai që e ka bërë edhe më madhështor këtë Universitet.

Para të pranishmëve foli edhe kryetarja e Këshillit Drejtues të UPHP-së, znj. Ardiana Bunjaku, e cila tha që mënyra më e mirë për të shënuar këtë datë, është pikërisht kjo që po bëhet sot, mbledhja e grave dhe diskutimi i sfidave.

“Është e vështirë të jesh grua në një vend ku ende gjykohesh. Ju inkurajoj që secila të besojë në vete. Ju nuk duhet vetëm të transmetoni njohuri por edhe t’i fuqizoni vajzat” tha ajo.

Fjalë rasti në këtë konferencë mbajti edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, i cili tha që familjet tona varen nga gratë dhe duhet sa më shumë të fuqizojmë rolin e gruas. Ndërkaq, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Albena Reshitaj tha se gratë e pafuqishme i takojnë historisë, tani koha dhe etapat kanë ndryshuar bashkë me pozitën e gruas, anipse ende gruaja nuk e ka marr vendin që e meriton në shoqëri.

Në foltoren e kesaj konference vazhdoi me fjalë tutje prof. dr. Suzana Manxhuka - Kërliu – dekane e Fakultetit të Mjekësisë, e cila foli për “Gratë dhe kontributin e tyre në zhvillimin akademik të UP-së”, prof. Ilire Vinca, - profesoreshë në Fakultetin e Arteve, e cila u paraqit me temën “Gruaja në karrierë”, ass.dr. Nita Luci, profesoreshë në Fakultetin Filozofik, e cila foli për barazinë gjinore dhe faktorët që ndikojnë ne avancimin e gruas në arsim të lartë, si dhe kryetarja e Parlamentit Studentor të UPHP-së, znj. Arieta Bajrami.

Në fund të ceremonisë, Rektori Dema ndau mirënjohjet për gratë pjesë të personelit akademik dhe administrativ në UPHP, për kontributin e dhëne për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.