Në Fakultetin Filologjik të UP-së, hap punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane dhe Shoqërore
Në ambientet e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, hapi dje punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane dhe Shoqërore. Ky kongres shkencor, është organizuar falë bashkëpunimit të ngushtë në mes të UP-së, gjegjësisht Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke në Fakultetin Filologjik dhe Universitetit të Gazit nga Turqia.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, përshëndeti punimet e këtij Kongresi. Ai tha që tematika e tij dhe vetë Kongresi nuk janë e mira më e madhe që ai po sjellë për pjesëmarrësit. Por, janë bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me universitetet turke, krijimi i urave të bashkëpunimit dhe kontakteve të reja në mes kulturave, ato që mbizotërojnë për nga rëndësia në këtë event.

Nga Universiteti i Gazi-t, organizatorë kryesorë të këtij Kongresi ishin Dekanja Gonce Bayraktar Durgun dhe profesori Turgul Korkmaz.

Znj. Durgun në fjalën e saj, mbajtur para të pranishmeve në hapjen e këtij Kongresi, falënderoi UP-në që i ka hapur dyert bashkëpunimit në mes të dyja vendeve. “Ne kemi zgjedhur pikërisht Kosovën si vend për të mbajtur Kongresin e parë të këtij lloji, për shkak se ne me Kosovën dhe Ballkanin kemi lidhje shpirtërore” tha ajo, duke shtuar që shpreson që ky aktivitet shkencor do të zgjerojë edhe më shumë bashkëpunimin mes të dyja vendeve.

Ndërkaq, Dekanja e Fakultetit Filologjik të UP-së, prof. dr. Lindita Rugova, i informoi të pranishmit lidhur me Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Turke në këtë Fakultet. Njëherësh falënderoi përfaqësuesit nga Universiteti i Gazi-t që kanë zgjedhë pikërisht UP-në për të mbajtur Kongresin.

Në Kongresin Ndërkombëtar të Shkencave Humane dhe Shoqërore po marrin pjesë rreth 100 pjesëmarrës nga Evropa, pjesa dërrmuese e tyre profesorë dhe studentë nga Turqia.

 

Instagram
Kontakti