Universiteti i Prishtines


Rektori i Univeristetit të Prishtinës

Prof. Dr. Mujë Rugova

Rektor i Universitetit të Prishtinës

 

Rektorati i Universitetit të Prishtinës
Rr. "Nëna Terezë", p.n.
10 000 Prishtinë
Republika e Kosovës
Tel: +381 38 244 183 /244 186
Fax: +381 38 244 187
E-mail: muje.rugova@uni-pr.edu
 


Të nderuar studentë,
Mirë se vini në Universitetin e Prishtinës!


Më lejoni që në emër të drejtuesve të Universitetit të Prishtinës, stafit mësimdhënës të tij dhe në emër  të të gjithë personelit akademik t'ju uroj mirëseardhje në mesin tonë! Duke u bërë pjesë e jetës sonë të përbashkët akademike, ju tashmë keni ndërmarrë hapin më të rëndësishëm dhe më substancial të jetës suaj.
Kohë më parë, Universiteti i Prishtinës ka shënuar dyzetvjetorin e themelimit. Gjatë tërë jetës së tij, UP-ja është përballur me sfida dhe me vështirësi nga më të rëndat. Duke qenë i pari institucion i Arsimit të Lartë në vend, Universiteti i Prishtinës ka pritur në gjirin e vet dhe ka shkolluar gjenerata të tëra intelektualësh, të cilët me punën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre kanë bërë që Kosova të ecë suksesshëm drejt emancipimit dhe lirisë së saj. Në këtë ecje, të mundimshme gjithsesi, rolin vendimtar dhe të pakontestueshëm e ka pasur rinia studentore, e cila, duke u bërë pararendëse e të gjitha ndryshimeve pozitive në vend, e ka shndërruar Universitetin e Prishtinës në institucionin më të rëndësishëm dhe më shpresëdhënës në Kosovë. Ishte rinia studentore e UP-së ajo e cila ndër të parat simotra në Evropë u ndesh me regjimin totalitar të ish-Jugosllavisë, regjim i cili në fundin e tij mori përmasa të fashizmit gjenocid serb mbi shqiptarët. E ndodhur në kushte të rënda, nën regjimin e egër, me të drejta dhe liri njerëzore e kombëtare të shtypura, në një varfëri dhe mjerim të skajshëm social, shoqëria kosovare e kishte Universitetin e Prishtinës të vetmen shpresë për t'ia ndritur rrugën e ardhmërisë. Fundi i shekullit që e lamë pas dëshmoi së kjo shpresë ishte e drejtë.
Universiteti i Prishtinës, gjatë viteve të zhvillimit të tij, përveç vështirësive dhe kohërave të liga, ka njohur edhe rezultate dhe suksese të pakontestueshme në drejtim të avancimit të arsimit të lartë, duke e pajisur jetën akademike pothuajse me të gjitha drejtimet e studimeve, të cilat kanë bërë që Universiteti ynë të jetë shumë i respektuar në rajon dhe më gjerë. Nga vatra e tij kanë dalë shumë personalitete të shquara të jetës akademike e intelektuale, humaniste e shkencore, politike e ushtarake.

Edhe pse kohërat e liga tashmë kanë ikur dhe nuk kthehen më, Universiteti i Prishtinës vazhdon të ketë shumë punë para vetes, në mënyrë që të mbajë ritmin dhe dinamikën e shpejtë të zhvillimit që e kërkon koha. Rritja dhe zgjerimi i hapësirave universitare, përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies, mbulimi i të gjitha drejtimeve studimore me stafin më të përgatitur të mësimdhënësve, avancimi dhe përplotësimi i planprogrameve mësimore në të gjitha njësitë akademike, me qëllim përafrimi me sistemin e Bolonjës, janë vetëm disa nga objektivat që ne, si staf drejtues i UP-së, ia kemi vënë vetes. Për këto dhe për punë të tjera të shumta që na presin në të ardhmen, ju, të dashur studentë, duhet të jeni pjesa më aktive, duke qenë kështu përherë kujdestarë të adresimit të të gjitha problemeve dhe vështirësive që na dalin përpara. Duke shpresuar në bashkëpunimin tonë të hapur dhe të sinqertë, ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese në studime!
 
Me respektin më të thellë,
Prof. dr. Mujë Rugova, rektor i UP-së
 
© Universiteti i Prishtinës, www.uni-pr.edu, info@uni-pr.edu