Mirë se vini në Universitetin e Prishtinës!

Prof. asoc. dr. Ibrahim Gashi
Rektor i Universitetit të Prishtinës



Rektorati i Universitetit të Prishtinës
Rr. "Nëna Terezë", p.n.
10 000 Prishtinë
Republika e Kosovës
Tel: +381 38 244 183 /244 186
Fax: +381 38 244 187
E-mail: ibrahim.gashi@uni-pr.edu




Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të dashur studentë,

Kam nderin dhe kënaqësinë t’ju dëshiroj mirëseardhje në faqen zyrtare të institucionit më të madh të arsimit të lartë në vendin tonë!
Misioni parësor i Universitetit të Prishtinës është edukimi i qëndrueshëm dhe cilësor i brezave të rinj. Këtë synojmë ta arrijmë duke ofruar një arsimim dhe kërkim shkencor të cilësisë së lartë, me mundësi të barabarta për të gjithë, në pajtim me vlerat e lirisë, të demokracisë dhe të diversitetit.
Duke pasur rolin kryesor dhe përgjegjësinë në edukimin e brezave të rinj, Universiteti i Prishtinës synon të vazhdojë me reforma për një institucion modern dhe dinamik, me rol prijës në zhvillimin arsimor, shkencor, kulturor, social dhe ekonomik të Republikës së Kosovës.
Një rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë ndërkombëtarizimit të veprimtarisë kërkimore-
- shkencore dhe artistike, si dhe lidhjes së partneriteteve strategjike me institucione me reputacion ndërkombëtar. Ne konsiderojmë se detyrë e secilës shoqëri demokratike, që synon integrimin në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, është zhvillimi i qëndrueshëm i sistemit arsimor, i vlerave kulturore dhe i zhvillimit ekonomik.

Të dashur studentë të rinj,

Unë, së bashku me ekipin tim dhe me kontributin e stafit akademik jemi të përkushtuar t’i krijojmë të gjitha lehtësirat për integrimin tuaj në jetën akademike. Ne konsiderojmë se pjesëmarrja juaj aktive në debate publike kontribuon në zhvillimin e shoqërisë, veçanërisht të Universitetit si një pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë. Ne jemi të hapur ndaj sfidave të reja, ndaj njerëzve kreativë dhe ideve të reja që do të mundësonin arritjen e rezultateve më të mira dhe të një paraqitjeje më të mirë.
Të bindur se privilegjin e të qenit student do ta përktheni në përgjegjësi dhe përkushtim, jemi të sigurt se aftësitë dhe të arriturat tuaja nuk do të jenë vetëm në shërbim të karrierës suaj personale, por do të jenë në dispozicion të të gjithë shoqërisë.


Me respekt,

Prof. asoc. dr. Ibrahim Gashi
Rektor i Universitetit të Prishtinës