Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ndau mirënjohje për studentët që përfaqësuan UP-në në garën e arbitrazhit komercial ndërkombëtar “Willem C. Vis Moot”, të mbajtur në Vjenë.

Këta studentë kanë arritur suksese të jashtëzakonshme, duke e kualifikuar Universitetin e Prishtinës në rrethet më të ngushta të finalistëve në këtë garë dhe duke lënë prapa mbi 330 universitete pjesëmarrëse, përfshirë këtu edhe universitetet prestigjioze si: Yale, Harvard, Sydney, e të tjera.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema uroi studentët dhe profesorët për suksesin e treguar në këtë garë. Ai tha që për të, si Rektor, nuk ka sukses me të madh sesa vetë suksesi i studentëve të tij. Sipas tij, “kjo arritje e tyre tregon për kapacitetin që kanë studentët e këtij Universiteti, si dhe vë në pah vullnetin dhe dëshirën për sukses që ushqejnë këta të rinj”.

Punën e studentëve dhe ekipit trajnues që përfaqësoi UP-në në këtë garë të rëndësishme ndërkombëtarë e vlerësoi lartë edhe dekani i Fakultetit Juridik në UP, Prof. Dr. Haxhi Gashi, i cili në fjalën e tij falënderoi studentët për përkushtimin e tyre, si dhe menaxhmentin e UP-së për mbështetjen e dhënë.

 
Ndërkaq, profesoresha Vjosa Osmani, njëherësh trajnerë e studentëve në këtë garë, tha që është dashur të vlerësohet më shumë ky sukses i studentëve të UP-së, që sipas saj ia kalon të arriturave në sport e fusha të tjera të cilat zakonisht marrin vëmendje dhe duartrokitje më të mëdha. Ajo konsideron që ky sukses i studentëve të UP-së është njeri ndër sukseset më të mëdha të vendit tonë në vitet e fundit.

Arsyeja kryesore e këtij suksesi padyshim që janë vetë këta studentë. Andaj, për eksperiencën e përjetuar gjatë kësaj garë, vështirësitë dhe veçantitë e saj foli studentja Afrore Shaipi, e cila falënderoi kolegët, profesorët dhe mbështetësit e këtij rrugëtimi dhe suksesi të tyre.   

Vlen të theksohet se këtë vit, UP-ja është universiteti i vetëm nga rajoni që ka arritur të kualifikohet në raundet e ngushta finale të garës, duke shënuar kështu arritjen më të lartë që studentët jo vetëm nga Kosova, por edhe nga rajoni kanë treguar në këtë garë.

Studentët pjesëmarrës ishin: Klit Shala, Alba Dushi, Gentrita Bajrami,  Afrore Shaipi, Eris Hana, Diellza Mujaj, Agon Sokoli, të cilët u trajnuan nga Dafina Bucaj, Donikë Qerimi dhe Vjosa Osmani.

UP-ja përveç me mirënjohje, ka shpërblyer studentët edhe më nga 100 euro.