Në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj u hap Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2017”. Në këtë panair po merr pjesë edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, përkatësisht Zyra për Zhvillim Akademik dhe Qendra për Zhvillim të Karrierës. Në hapjen solemne të panairit “Prishtina 2017” ishte e pranishme edhe prorektorja për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, prof. Teuta Pustina Krasniqi, e cila vizitoi edhe stendën e UP-së.

Në këtë panair, UP-ja promovon programet studimore, shërbimet e karrierës që ofron për studentët dhe të diplomuarit si dhe mundësitë e bashkëpunimit me tregun e punës.

Me këtë rast, stafi i UP-së krijoi kontakte me kompanitë pjesëmarrëse në panair për të bashkëpunuar në ofrimin e mundësive për studentët dhe të diplomuarit e UP-së, si dhe mundësinë e pjesëmarrjes se tyre në Panairin Virtual të Karrierës, që organizohet nga Universiteti i Prishtinës më 23, 24, 25 maj 2017.

Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar do të jetë i hapur deri më 22 Prill 2017. Organizatorët kanë vënë në funksion të vizituesve autobusin i cili lëviz çdo gjysmë ore nga objekti i Ministrisë së Arsimit.
Panairi “Prishtina 2017” është rast i mirë për studentët dhe të diplomuarit e UP-së, që të dorëzojnë CV-të e tyre tek kompanitë pjesëmarrëse për mundësi punësimi.