Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema priti sot në takim zyrtar delegacionin nga Spitali Universitar “Bezmialem” nga Turqia, kryesuar nga rektorja znj. Rumeyza Kazancioglu, si dhe të shoqëruar nga nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës z.Fikrim Damka. Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit  në mes universiteteve në fjalë.
Rektori Dema i mirëpriti në ambientet e Rektoratit dhe i njoftoi me një historik të shkurtër të institucionit që ai drejton. “Duke e  ditur rëndësinë që ka UP-ja për vendin ,ne e kemi obligim që të jemi liderë të mirë. Për të arritur këtë jemi duke bashkëpunuar me shumë universitete, në mesin e të cilëve edhe një numër të madh të universiteteve turke, ku aktualisht kemi rreth 2.400 studentë tanë që studiojnë atje. Këtë rrugëtim do donim ta vazhdonim tutje edhe me bashkëpunimin me universitetin tuaj”  u shpreh rektori Dema, duke premtuar angazhim maksimal nga UP-ja për jetësimin e kësaj marrëveshjeje.
Fjalën në takim e mori edhe nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Fikrim Damka, i cili falënderoi Universitetin “Bezmialem” për bashkëpunimin e deritanishëm duke treguar për një numër të madh të pacientëve kosovarë që janë shëruar në spitalin universitar “Bezmialem”. “Tash është koha që të filloj ky bashkëpunim me UP-në. Universiteti “Bezmialem” është universitet i ri, por me kapacitet të madh. Jemi të gatshëm për bashkëpunim në secilën fushë që është e dobishme për shoqërinë kosovare” tha në mes tjerash z. Damka.  Në anën tjetër, rektorja e Spitalit Universitar, znj. Rumeyza Kazancioglu shprehi falënderimin e saj për mikpritjen që iu është bërë. Në fjalimin e saj ajo tregoi për universitetin në krye të të cilit është ajo dhe shprehi gatishmërinë e tyre për bashkëpunim me UP-në.
Te dyja palët shprehën interesimin për të bashkëpunuar në aspekte të ndryshme, duke përfshirë: mobilitete semestrale për studentë dhe staf, organizimin e punëtorive dhe konferencave të përbashkëta, bashkëpunime në fushën e hulumtimeve dhe specializimeve për master apo PhD e të tjera mundësi të cilat do të ndikonin në ngritjen e cilësisë se të dyja universiteteve.