Rektori Gashi dhe ministri Buja prezantuan 9 titujt e parë të librave shkencorë

    Rektori Gashi dhe ministri Buja prezantuan 9 titujt e parë të librave shkencorë Rektori i Universitetit të Prishtinës’’Hasan Prishtina’’, prof.dr.Ibrahim Gashi dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, kanë prezantuar sot në një konferencë të përbashkët, 9 tituj të librave shkencorë të autorëve eminentë botërorë të përkthyera në gjuhën shqipe, nga 150 tituj sa janë gjithsej. Ministri Buja dhe rektori Gashi kanë vlerësuar se këto libra shkencor do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së studimeve në fusha të ndryshme.

    Rektori Gashi tha se këto libra janë një ndihmesë e madhe për këtë universitet, ngase do të zbutet mungesa e literaturës.

    "Një pjesë e madhe e kontingjentit të këtyre librave do të deponohet në Bibliotekën Universitare, ku studentët do t'i marrin këto libra t'i lexojnë në sallat e leximit të kësaj biblioteke, por edhe mund t'i huazojnë në kohë të caktuara, si në shumë vende të botës. Një pjesë e këtyre titujve (pasi që bëhet fjalë për një ekzemplarë të shumtë të këtyre librave) që janë përkthyer, do të deponohen në bibliotekat e fakulteteve përkatëse, për aq sa janë kapacitetet e bibliotekave për t'i pranuar, në mënyrë që studentët t'i kenë më afër dhe t'i përdorin edhe gjatë ditës, por dhe mund t'i marrin natyrisht duke deponuar një nga dokumentet e identitetit të tyre", tha rektori Gashi.

    Ndërsa ministri Buja, me këtë rast, tha se përveç titujve që janë prezantuar sot, që janë kryesisht nga fusha e mjekësisë, tituj të tjerë do të jenë edhe nga fusha të tjera dhe do të mbërrijnë brenda këtij muaji.

    "Presim që pa mbaruar muaji të vinë librat tjerë, kontingjenti i tjetër i librave, të cilat nuk do të jenë vetëm të mjekësisë, por edhe të shkencave të tjera. Kështu po e përmbyllim një projekt tonin kapital që studentëve t'u sjellim libra shkencor nga autorë më eminentë, nga emra më të njohur të shkencës", theksoi ministri Buja, duke shtuar se kostoja e gjithë këtij projekti ka qenë mbi 3 milionë euro.

    Nëntë titujt që kanë arritur me kontigjentin e parë të librave të përkthyer janë:

    1. Zhvillimi njerëzor: Embriologjia e orjentuar klinikisht
    2. Bazat e patologjisë së Robinsit
    3. Atlasi i radiologjisë së urgjencës
    4. Epidemiologji, biostatistikë dhe mjekësi parandaluese
    5. Atlasi i diagnozës së ekzaminimit pediatrik
    6. Obstetrika: Shtatzanitë normale dhe shtatzanitë patologjike
    7. Ekografia në obstetrikë dhe gjinekologji
    8. Traktati i mjekësisë së familjes
    9. Dermatologjia klinike: Një udhëzues me ngjyra për diagnozën dhe terapinë

     

Arkiva e lajmeve

«prill»
MaEnPrShDi
31 12 3456
789 10 111213
141516 17 181920
21222324252627
2829301234
567891011