Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema takoi udhëheqësin e projektit Young Cell Scheme, Prof. Ezio Benedetti, i cili në takim ishte i shoqëruar nga Armend Kelmendi, president i European Young Cell Alumni në Kosovë.

Tema bosht e këtij takimi ishte organizimi i përbashkët i shkollës së katërt verore, e cila do të mbahet në Fakultetin Filologjik të UP-së. Kjo shkollë verore do të organizohet në periudhën 3-7 korrik 2017 dhe ka target kryesor studentët e vitit të dytë dhe të tretë, bachelor, të cilët studiojnë kryesisht juridikun, ekonomikun apo shkencat politike.

Te dyja palët u dakorduan për vazhdimin dhe intensifikimin e projekteve të përbashkëta me interes për studentët e UP-së.

Young Cell Scheme është projekt i cili financohet nga Bashkimi Evropian. Që nga themelimi, EYCA është lider në mesin e organizatave joqeveritare në Kosovë në promovimin e vlerave evropiane gjatë procesit të integrimit të Kosovës në BE. Deri me tani, EYCA Kosovo ka implemetuar një numër të madh të projekteve ku janë përfshirë studentët e UP-së, ku përfshihen shkolla verore apo dimërore, ligjërata të ndryshme, e të tjera.