Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema priti sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Gernot  Pfandler dhe përfaqësuesit nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), z. Gunther Zimmer dhe znj. Albulena Bylykbashi.
Në këtë takim u bisedua në lidhje me gjendjen aktuale, sfidat dhe të arriturat e Universitetit të Prishtinës, si dhe mundësitë për bashkëpunim në mes të dyja palëve.
I pari i Universitetit të Prishtinës, z. Dema u shpreh i nderuar me vizitën e ambasadorit dhe përfaqësuesve të ADA-së  në institucionin që ai drejton. Ai vuri në pah vullnetin e madh që ka UP-ja për bashkëpunim reciprok, për tu hapur rrugë ndryshimeve pozitive. “Pa ndryshime pozitive në Universitetin e Prishtinës, nuk do të ketë ndryshime të tilla as në Kosovë. Ne po bëjmë më të mirën e mundshme dhe për të arritur këtë kemi instaluar standarde të reja bazuar në dy pika kryesore: transparencën dhe llogaridhënien”, tha rektori në këtë takim.
Në anën tjetër, ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Pfandler shprehu gatishmërinë e tyre për të qenë miq të Universitetit të Prishtinës si dhe vlerësoi lartë punën e rektorit Dema. “Jam jashtëzakonisht i impresionuar me dedikimin tuaj kushtuar Universitetit të Prishtinës, si dhe me agjendën ambicioze që ju keni krijuar. Me ju në krye, Universiteti i Prishtinës është në duar të sigurta” ishin fjalët me të cilat u shpreh ambasadori austriak.
Përveç kësaj, në këtë takim përfaqësuesit e ADA-së, z. Gunther Zimmer dhe znj. Albulena Bylykbashi, së bashku me këshilltarin e rektorit, prof. Dr. Hysen Bytyqin dhe prorektorin për kërkime shkencore në UP, prof. Dr. Faton Berishan orientuan bisedën kah projektet konkrete që do të ishin të dobishme për UP-në, rrjedhimisht edhe për shtetin e Kosovës. Të dyja palët u dakorduan për bashkëpunime të mëtutjeshme.