Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Agjencisë Universitare të Frankofonisë (AUF), e cila po mbahet në Marakesh, Maroko.

Rektori Marjan Dema ne këtë event është i shoqëruar nga profesoresha e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, Valbona Gashi - Berisha. 

Përfaqësuesit e UP-së, Rektori Dema dhe prof. Gashi – Berisha po ndjekin aktivitetet e shumta që po mbahen gjatë kësaj jave në AUF, duke u kyçur në zgjedhjen e udhëheqësve të kësaj Agjencie.

Universiteti i Prishtinës si anëtare e asocuar e AUF-it që nga janari i këtij viti, po merr pjesë në këtë Asamble, ku pikat kryesore të debatit lidhen me strategjitë e përbashkëta të universiteteve anëtare.
Agjencia Universitare e Frankofonisë (AUF) është një rrjet botëror i universiteteve frankofone. AUF është themeluar në vitin 1961, fillimisht si Shoqatë e Universiteteve Frankofone. Gjatë Samitit të Frankofonisë, të mbajtur në Dakar në vitin 1989, udhëheqësit e shteteve dhe qeveritarë kanë vendosur që kjo Agjenci të jetë operatori direkt i frankofonisë botërore dhe me atë rast edhe e kanë ndryshuar emrin në Agjenci Universitare të Frankofonisë (AUF). Sot, AUF-i numëron 111 shtete nga mbarë bota, si anëtar të saj.