Të enjten, më 22 Nëntor 2012, Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës organizoi aktivitetin “Shkëmbe përvojën - ndihmo të tjerët” në të cilin ishin të pranishëm studentët e vitit të parë dhe të tretë të Fakultetit Ekonomik. Qëllimi i aktivitetit ishte takimi i studentëve dhe diskutimi rreth studimeve në përgjithësi, mundësive për punësim dhe punë praktike, mundësisë së lëvizjes ndëruniversitare të studentëve, kritereve të tregut të punës etj.

Më këtë rast, studentët e vitit të fundit të studimeve në Fakultetin Ekonomik të cilët kishin kryer punën praktike dhe disa të cilët kishin realizuar një vit studimi jashtë vendit përmes programeve të shkëmbimit të studentëve patën mundësinë që të udhëzojnë studentët e vitit të parë se si të ndërtojnë karrierën e tyre dhe cila është rruga që duhet të ndjekin, përderisa studentët e vitit të parë patën mundësinë që të pyesin rreth mundësive që ofrohen për ata gjatë studimeve.

Stafi i QZhK-së informoi studentët rreth trajnimeve që ofron, rreth kritereve të tregut të punës dhe shkathtësive që duhet t’i zhvillojnë gjatë studimeve më qëllim të punësimit më të lehtë.