Universiteti i Prishtinës, në bazë të Vendimit të Këshillit Drejtues, nr. ref. 3/408, të datës 23.11.2012, shpall:

Konkurs për ndarjen e bursave universitare për vitin akademik 2012-2013


I
Bursa universitare ndahen për studentët e studimeve themelore (bachelor) dhe të studimeve postdiplomike (master).

Për fitimin e bursës universitare studentët duhet t’i plotësojnë këto kushte:
1. Të jenë studentë të rregullt të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës;
2. Të jenë studentë të vitit të dytë e më lart;
3. Të mos kenë vit të përsëritur të studimeve;
4. T’i kenë dhënë të gjitha provimet e vitit paraprak përkatës të studimeve në
afatin e shtatorit;
5. Të kenë notë mesatare të studimeve më së paku 9.00 (nëntë pikë zero).
Përjashtimisht nga pika 5. e këtij vendimi, studentët e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës, të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, të Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë, të Fakultetit të Shkencave Teknike të Aplikuara në Mitrovicë, të Fakultetit të Shkencave Teknike të Aplikuara në Ferizaj dhe të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Departamenti i Matematikës dhe Departamenti i Fizikës, mund të konkurrojnë edhe me notë mesatare më të ulët, por jo më pak se 8 (tetë), ndërsa për studentët e Fakultetit të Arteve të mos kenë notë mesatare më pak se 9.50 (nëntë pikë pesëdhjetë).

II
Studentët të cilët i plotësojnë kushtet nga pika një (I) e këtij vendimi duhet t’i paraqesin këto dokumente:
1. Certifikatën e vitit të regjistruar akademik 2012-2013, duke cekur:
a) se është student i vitit të dytë e më lart,
b) se i ka dhënë të gjitha provimet e vitit paraprak në afatin e shtatorit,
c) notën mesatare gjatë studimeve
d) se nuk ka vit të përsëritur gjatë studimeve dhe
2. Certifikatën e provimeve të dhëna me datat e dhënies së provimeve.

Këshilli do ta emërojë komisionin për ndarjen e bursave prej 5 anëtarësh nga Universiteti i Prishtinës.
Lartësia e bursës do të caktohet varësisht nga buxheti i Universitetit të Prishtinës dhe numrit të studentëve që i plotësojnë kushtet për fitimin e bursës universitare.
Studentët bursistë do ta gëzojnë këtë të drejtë për vitin akademik 2012-2013.
Dokumentet e kompletuara paraqiten në fakultete.
Afati i paraqitjes zgjat prej datës 3.12.2012 deri më 17.12.2012.
Vendimi do të publikohet në tabelat e shpalljeve të fakulteteve, në mediat e shkruara, si dhe në ueb-faqen e Universitetit: www.uni-pr.edu