Gazetari Leonard Kerquki ligjëroi sot para studentëve të Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Kerquku është gazetar në “Gazeta Express”, i cili ditë më parë është shpërblyer me Çmimin e Parë për Gazetari Hulumtuese në Kosovë nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Mediave të Shkruara.

Theksi më i madh gjatë kësaj ligjërate u përqendrua në dokumentarin “Zona Express”, për realizimin e të cilit ai është shpërblyer me këtë çmim. Leonard Kerquki ka treguar se në këtë dokumentar ka trajtuar temën se si disa politikanë dhe familjarët e tyre, prej pasluftës, janë shndërruar në milionerë.

Kryeredaktori i Gazetës Express ka thënë se edhe portalet janë në fundin e tranzicionit, derisa ka paralajmëruar edhe fundin gazetarisë së keqe.

Në anën tjetër, studentët pyetën Kerqukin për mënyrën e financimit të Express si dhe për lajmet e rubrikës “Rozë” në portalin ku ai punon.

Ligjërata e Kerqukit në Departamentin e Gazetarisë është realizuar në kuadër të debateve që do të zhvillohen edhe me udhëheqësit tjerë të mediave kryesore të Kosovës.